Revista ALbatros

Gjithcka që ju duhet është ketu…


Leave a comment

Po unë kur do të filloj punë ?

Papunesia-

Papunësia është një fenomen mjaft i përhapur në të gjithë botën. Po unë dua të ndalem tek Shqipëria. Në vendin tim papunësia ka disa karakteristika që e bënë të veçantë nga gjithë vendet e tjera të botës. Në Shqipëri  të qenit i papunë nuk përbën ndonjë çudi. Ti takon miq dhe shok që të pyesin. A je në punë tani? Përgjigjet janë të ndryshme në varësi të moshës, arsimit dhe profesionit që ka gjithsecili. Disa nga përgjigjet mund të dëgjosh nga personat  moshës së rritur ose të mesme le të themi 30-65 vjeç janë mjaft  mbresëlënëse. Disa  thonë “Tani për tani jo, u mbyll ndërmarrja”ose “Jo se më hoqën nga puna se  u bë reforma”ose  “Nuk jam më në punë se vendin tim e zuri një mik i shefit” pse jo dhe “Nuk kam një punë fikse, punoj dy tre muaj sa këtu atje por gjysma e të keqes të paktën paguhem se ka që edhe nuk paguhen. Pra, kemi llojshmëri  përgjigjesh, a nuk është kjo një gjë fantastike?

Më të rinjtë japin përgjigje të tjera disi më të ndryshe se ish-punonjësit e përmendur më sipër. Ata që janë të sapo  diplomuar thonë “JO, akoma nuk kam gjetur një punë të qëndrueshme  në profilin im edhe pse  po përpiqem shumë” ose “ Dega që kam mbaruar unë nuk ka asnjë shans të punësohesh nëse nuk njeh  dikë që të ndihmoj ”një tjetër tip më mendimtar  përgjigjet “Po të kisha 5000$ dot  do të isha në punë” një tjetër shprehet ‘E lashë punë se kisha mosmarrëveshje me shefin” ose “Nuk më marrin në punë se nuk kam eksperiencë”. Të më ndjeni por më lind natyrshëm pyetja : Po nëse një i ri i sapo diplomuar nuk i jepet mundësia diku për të punuar mund të më thoni se si do ta fitoi ky person eksperiencën e punës? Nëse ti si punëmarrës nuk i jep mundësin talenteve dhe personave të rinj me ide dhe energji të reja ku do të punojnë këta të rinj që të kualifikohen më shumë apo do të bëjnë edhe 10 vite të tjera praktikë  plus shkollimit që zotit punëmarrës t’i mbushet mendja se ai person ia vlen të punësohet se ka eksperiencë.  Çudi e madhe!

Kjo nuk do të thotë që unë jam kundra praktikave pasi ato i ndihmojnë mjaft të rinjtë për të qenë profesionist në punën e tyre por nëse një i ri ka kualifikimin e duhur dhe ka bërë edhe mjaftueshëm praktikë  ia vlen t’i jepet një mundësi pasi askush nuk është gjeni, të  gjithë mësojmë dhe perfeksionohemi çdo ditë të jetës tonë. Është e rëndësishme që rinia të përkrahet e mos t’i kthehen krahët pasi ata janë e ardhmja dhe e meritojnë një shans, pas shumë vitesh studime e sakrifica për të shijuar frytet e lodhjes së tyre shumëvjeçare.

Po të ndalemi në grupin e personave të cilët janë të padiplomuar ose që kanë një zanat përgjigjet janë të tjera. Disa thonë “Punova disa kohë por e lash se kisha 5 muaj që nuk merrja rrogën dhe as që kishin në plan të më paguanin”ose “Punët që më ofrohen janë shumë të rënda,të pasigurta  dhe kanë paga qesharake ”

Pra, siç shihet nga papunësia janë të prekur të gjitha moshat, të rinj  e ata më të vjetrit ,të arsimuarit dhe të pa arsimuarit. Shumica e familjeve shqiptare kanë të paktën një pjesëtar të familjes i aftë për të punuar por që nuk gjen dot një punë që t’i përshtatet profilit dhe kërkesave që ai ka. Ky është  realiteti në të cilin jetojmë. Punë ka por nuk ka profesionist!!!

Të sapo diplomuarit ndihen të flakur mes të katër rrugëve pa pasur mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre. Ata ndihen të fyer kur mbas kaq vitesh sakrifica e studime intensive ofertat që i bëjnë për punë janë qesharake. Si mundet një person i cila ka harxhuar rreth 20 vite të jetës së tij në bankat e shkollës dhe universitetit,  shto dhe vitet e trajnimeve dhe praktikave duke u përpjekur të dal me nota dhe  rezultate maksimale, me shpresën që një ditë lodhja do t’ia vlej ,t’i ofrosh një punë të rëndomtë dhe jashtë profilit të tij?

Çmenduri por jo  çudi pasi kjo gjë ndodh përditë. Sigurisht, që ka disa nga ju që do të thonë që puna nuk është turp dhe çdo punë është e mirë për sa kohë bëhet me dinjitet  dhe të rinjtë duhet të punojnë çfarëdolloj pune. Jam shumë dakord me ju, nuk po përpiqem të them që  puna çfarëdo është turp, pasi jam e para që mendojmë që puna e përkohshme  është e vlefshme dhe i ndihmon të rinjtë të fitojnë pavarësinë e tyre. Unë po flas për tronditjen dhe zhgënjimin që  një i ri ose e re pëson kur kupton se harxhon rreth dy dekada duke studiuar mjekësi, juridik, ekonomik, stomatologji, inxhinieri, fizik, etj; dhe nuk mund të ushtroi profesionin e tij atë që ka dashur të bëjë gjithë jetën. Harxhon para, kohë ,energji dhe në fund kur del në tregun e punës ofertat e punëdhënësve  janë : kamerier, banakier, shitës, operator call center ,etj.

Universitetet tona si private dhe shtetërore prodhojnë diploma pa fund dhe të diplomuar pa shpresa, të zhgënjyer dhe me ëndrra të vrara. Nëse  të gjithë do të vlerësoheshin nga aftësitë  dhe meritat që kanë  gjërat do të ishin shumë ndryshe. Gjithkush do të merrte aq sa meritonte dhe do të gjithë do të ishin më të motivuar për të bërë më shumë për vetën ,familjen dhe vendin e tyre. Në Shqipëri  kriteret që duhet të plotësosh për të qene i punësuar diku në shumicën e rasteve nuk lidhen fare me zotësinë tënde, me formimin tënd dhe me eksperiencën që ti ke. Që të punësohesh sot në një punë që vërtet ia vlen  duhet të jesh një militant partiak  ose  të kesh njohje apo “mik” dikë që ka pushtet ose  të kesh lekë mundësisht euro për ta blerë atë vend pune ose të “jesh i sjellshëm me shefin” (kjo e fundit kryesisht vlen për gjininë femërore).

Por si çdo problem dhe ky e ka një “zgjidhje”.  Shqiptarët tashmë janë të mësuar me këtë realitet  dhe e marrin me sportivitet duke ngushëlluar njëri- tjetrin pasi të gjithë ndodhemi në një anije. Me shpresën se nesër do të jetë më mirë të gjithë përpiqen ta kalojnë me pozitivistet këtë gjendje edhe pse pesha e këtij sistemi të dështuar ekonomik rëndon mbi shpatullat tona çdo ditë. Me shpresën se një ditë gjërat do të ndryshojnë unë po e mbyllë duke thënë “Qesh ,qesh se çdo gjë kalon”.

Nga : Arjola . A


2 Comments

Sfidat e shekullit të ri. Çliroje veten

tecnologjia

Shekulli XXI në të cilin ne jetojmë mund të quhet shekulli i sfidave dhe ndryshimeve të mëdha. Gjithçka po ndryshon me ritme marramendëse, gjithçka është në lëvizje dhe transformohet vazhdimisht. Të rinjtë  e sotëm janë krejt ndryshe nga të rinjtë e 10, 20 apo 30 viteve më parë.  Fal ndikimit të teknologjive të reja , mediave sociale, internetit gjithçka është ndryshe sot e do të jetë ndryshe nesër dhe as mund të  parashikohet sa  ndryshe mund të jetë pasnesër.

Shoqëria sot jeton në epokën e teknologjisë  me të cilën është e lidhur aq ngushtë sa që nuk mund ta imagjinoni veten të shkëputur nga celulari, kompjuteri, rrjetet sociale apo media.

Rinia sot e ka të lidhur ngushtë gjithë jetën dhe aktivitetet e saj me teknologjinë. Nëse je në një moshë të re dhe nuk je i informuar mbi teknologjinë dhe nuk di ta përdorësh atë ky mund të jetë një problem shumë i madh për ty. Rinia sot është larguar shumë nga mënyra tradicionale e komunikimit. Si pasoi e internetit dhe e teknologjisë së re komunikimi ndërpersonal ka pësuar një shformim të dukshëm.  Sot të rinjtë komunikojnë midis tyre me kode  dhe forma të cila janë të pakuptueshme për  moshën e mesme. Komunikimi është më i vrullshëm, më formal dhe më i çlirët. Nëse të rastis të dëgjosh bisedën e dy adoleshentëve  në rrugë  jam e sigurt se shumë pak gjëra do të kuptosh. Të rinjtë flasin  me shkurtime,  me simbole, me nënkuptime ,shpesh duke përdorur dhe gjuhën e huaj gjë që  e bënë shumë të vështirë t’i deshifrosh mesazhet që ata i japin njëri-tjetrit. Nëse do të rastiste  afër tyre një 80-vjeçar jam e sigurt që e vetmja gjë  që do të kuptonte nga e gjithë biseda e tyre  do të ishte që këta të rinjtë mund të jenë shqiptar pasi kanë folur edhe shqip.  Më këtë nuk dua as ta dënoj ,as ta shaj,  as ta paragjykoj rinin shqiptare.

Teknologjia ka ndryshuar rrënjësisht jetën tonë dhe kjo pasqyrohet në të gjitha fushat e jetës. Sot ne jemi pjesë e një shoqërie e cila është  gjatë gjithë kohës në lëvizje, të gjithë janë me nxitim, të  gjithë nguten. Sa shpesh e ke dëgjuar shprehjen: “Nuk kam kohë”, “Tani nuk mundem” ,”E kam me nxitim” etj. Ne flasim më shkurtë dhe më pak në komunikimin tonë të përditshëm. Mesazhet që u dërgojmë miqve tanë me telefon apo e-mail janë të shkurtra dhe sigurish që ne presim prej tyre një përgjigje të shpejtë e cila nëse vonon më shumë se 10 minuta atëherë kjo fillon të na shqetësoj.  Kanë ikur njëherë e përgjithmonë ato kohë kur  njerëzit i shkruanin letra njëri-tjetrit dhe prisnin me ditë të tëra përgjigjen e tyre. Sot nëse i shkruan një shoku një mesazh në celular dhe ai nuk të kthen përgjigje reagimi është i menjëhershëm. Thua me vete“ Seriozisht e ka ky që nuk kthen përgjigje??? Pse nuk më shkruan? Akoma nuk e ka  parë  mesazhin? dhe shumë e shumë gjëra të tjera si këto dhe pikërisht aty ti reagon ose duke e marr në telefon ose duke i nisur një mesazh të dytë. Qesharake  po ta mendosh megjithatë janë gjëra që ndodhin. Jemi qytetar të epokës teknologjike dhe nuk kemi kohë për të humbur pasi gjithë kohës jemi në vrapim e sipër.

Ne sot  lexojmë më pak se brezat e kaluar dhe nëse ndodh që të na pëlqej leximi dhe  duam të lexojmë jemi të prirur ta mbrojmë sa më shpejt librin që kemi në dorë. Sot njerëzit duan ta bëjnë gjithçka më shpejtë dhe  më me ngut duke filluar nga gjërat më të thjeshta deri tek ato më të vështirat. Ne duam të rritemi sa më parë ,duam të mbarojmë studimet sa më parë , duam të pasurohemi sa më parë , duam gjithçka në çast, tani.

Nëse e  analizojmë përditshmërinë e një njeriu modern do të vëmë re se dita  nisë me nxitim. Nuk ka shumë kohë të hajë mëngjes ose  të shohë televizor ose të bëhet gati me qetësi për ditën e re që e pret. Nxiton, do të bëjë dy –tre  gjëra njëkohësisht. Kjo gjë pasqyrohet në të gjithë rrjedhën e ditës së tij. Rrugës për në punë ecën me shpejtësi, trafiku i qytetit e bezdis , e mërzit pasi nuk do të pres , nuk ka kohë të presë . Edhe nëse ka  gjithë kohën e mundshme në dispozicion dhe e ka ditën komplet të lirë njeriu teknologjikë i ditëve tona  nuk është i  qetë, do të shijo gjithçka shpejt e shpejt , e bezdis ndalesa, pauza, i duket sikur i harxhon kohën e tij.

I futur në një vorbull e cila e rrotullon vazhdimisht dhe nuk e lë të shijoj asnjë moment qetësie njeriu i shekullit tonë humbet veten. Prandaj sot në botë njerëzit përballen me probleme të ndryshme si stresi,depresioni, vetmia, ankthi, pagjumësia e shumë të tjera. E gjitha vjen prej mungesës së qetësisë mendore dhe shpirtërore, prej humbjes së identitetit në turrat e mëdha të shoqërisë, e harron se jeta është shumë  e çmuar dhe e papërsëritshme. Vitet ia lënë vendi njëri-tjetrit dhe momenti i tanishëm nuk kthehet më. Gjithçka është kalimtare në këtë botë dhe prandaj është e rëndësishme ta shijosh në maksimum çdo moment të ditës,  pasi janë ato momente të ditës që në fakt përbëjnë jetën tënde.  Duke filluar nga dita e sotme  fillo të merresh pak më shumë me veten tënde, për dëshirat dhe nevojat e tua. Shkëputu nga kaosi i shoqërisë moderne dhe merru me atë që të bënë ty të lumtur. Çliroje veten, jetoje ditën tënde  në tërësi e saj.  Merr frymë thellë dhe shijo gjithçka të bukur që të rrethon. Lumturoje veten. Ti e meriton.

Nga : Arjola Ajdinaj